Elbasan

إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللَّهِ الْإِسْلَامُ

Feja e vërtetë tek Allahu është Islami
Lutja ne vendet e”mira”
Lutja ne vendet e”mira” Jeta që jetojmë, jo gjithmonë është e qetë. Ajo është e mbushur me shqetësime, preokupime,sëmundje, probleme dhe angazhime nga më të ndryshmet. E njeriu përballë këtyre vështirësive, e sheh veten të dobët dhe të pafuqishëm për t’i kapërcyer, prandaj ai, në raste të tilla, duhet të kërkojë vetëm prej Zotit të tij, sepse vetëm Ai është i mundshëm për mbrojtjen nga e keqja apo largimin e saj dhe çka është më e rëndësishmja, fakti se kërkimi i të mirës dhe largimi i të keqes është adhurim dhe njeriu çdo adhurim duhet t’ia përkushtojë Zotit, sepse ky është edhe qëllimi për të cilin ai u krijua.Allahu i madhëruar thotë: ”Unë i krijova xhinët dhe njerëzit me qëllimin e vetëm që ata të më adhurojnë mua.” (Edh-dharijat:56) Megjithatë, realiteti që shohim është krejt ndryshe, sepse akoma shumë prej njerëzve nuk kanë arritur t’a gjejnë rrugën që i çon te Zoti i tyre dhe që është rruga e vetme e zgjidhjes dhe daljes nga problemet. Vende të ashtuquajtura të mira, varre, tyrbe e teqe, frekuentohen me besimin se në to gjen mirësi dhe mbrohesh nga e keqja. Po sa e vërtetë është kjo vallë? O njeri, Zoti yt të nderoi ndër krijesat me logjikën që të dha, a mundet një varr nën të cilin ka një tufë eshtrash, të na japë atë që kërkojmë?! Vallë një qiri i ndezur apo fërkimi dhe puthja e mureve të teqeve,tyrbeve,apo statujave do të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve?! E çfarë dobie mund të na bëjë një krijesë e vdekur, e dekompozuar, e shndërruar në eshtra të kalbura dhe që është e pafuqishme për të kryer qoftë edhe gjënë më të vogël?! O krijesë e Zotit, që beson se e mira dhe e keqja është vetëm në dorën e Zotit, çështjen tënde parashtroja Atij, i Cili e dëgjon pëshpërimën tënde me lutje! Zoti yt që të krijoi, është mëse i dijshëm për problemin dhe gjendjen tënde, Ai e di çfarë ke ti në zemër, prandaj mos nguro që t’i kërkosh drejtpërdrejt Atij! Zoti ynë krijoi gjithësinë në këtë mënyrë të mrekullueshme, e të gjitha krijesat i nënshtrohen rregullit dhe sistemit që përcaktoi, prandaj me të drejtë madhërimi i takon vetëm Atij. E nëse njeriu mendon se lutja ndaj Zotit është e pranuar kur shkon në vende e varre të tilla, atëherë ai nuk e ka madhëruar Zotin e tij, por përkundrazi, i ka bërë padrejtësi Atij dhe vetes. I ka bërë padrejtësi Zotit, sepse ato forma madhërimi dhe adhurimi që i përkasin vetëm Atij (siç është lutja, kurbani, etj.), ia ka kushtuar krijesës (të vdekurit në varr). Këtë lloj padrejtësie Zoti nuk e fal, përderisa njeriu nuk pendohet për të. Gjithashtu, njeriu i ka bërë padrejtësi vetes, sepse me një veprim të tillë, në vend që të fitojë mirësi nga Zoti i tij, nuk fiton tjetër vetëmse zemërim dhe dënim. Mësoje se çfarë thotë Zoti yt në Kuran: “Ai që lut bashkë me Allahun edhe të tjerë, për të cilët natyrisht nuk mund të ketë argument, llogarinë (për këtë veprim të keq) do ta japë tek Zoti i tij dhe Ai nuk i shpëton mohuesit.” (Mu’minun, 117) Problemet me të cilat ndeshemi, nuk duhet që t’a errësojnë logjikën tonë, duke na bërë që t’u nënshtrohemi me madhërim dhe lutje krijesave si ne dhe as nuk duhet të jemi pasues të verbër të çdo gjëje që thonë dhe bëjnë njerëzit, por duhet të pasojmë atë që urdhëron Zoti ynë, i Cili thotë: “E nëse robërit e Mi të pyesin ty për Mua, u thuaj se Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit, prandaj le të më lusin vetëm Mua dhe të besojnë tek Unë, në mënyrë që të udhëzohen.” (Bekare, 186) Le të shtrojmë edhe një pyetje tjetër: Kush i bëri të shenjta vende të tilla (varret, tyrbet, teqet, vendet “e mira”)? Përgjigjemi; se vetëm Zotit i takon të shenjtërojë njerëz apo vende të veçanta dhe të gjitha ato që ka shenjtëruar, i tregoi me anë të profetëve dhe librave të Tij. Rrjedhimisht, vende të tilla nuk mund të jenë kurrë të shenjta, sepse për to nuk ka asnjë argument nga Zoti ynë. E si mund të konsiderohen të shenjta vende të tilla, ku njerëzit përulen dhe ia nënshtrojnë zemrat e tyre krijesave që janë si vetë ata dhe nuk i përulen e nënshtrohen Krijuesit të tyre?! Çdo njeri duhet ta ruajë dhe ta pastrojë nga këto forma të idhujtarisë, besimin që ka për Zotin, sepse vetëm duke iu nënshtruar me madhërim Zotit të tij, njeriu është i lirë nga robëria nënshtruese ndaj krijesave. Allahu është Zoti dhe çdo gjë tjetër përveç Tij është krijesë. Të gjitha krijesat kanë nevojë për Të dhe Ai është i Panevojshëm për to. Zoti yt është Një, prandaj nënshtroju me madhërim vetëm Atij! O njeri! Bujaria dhe dashuria e Allahut për robërit e Tij është e madhe, prandaj mos e largo atë nga vetja, duke madhëruar dhe lutur varret. Ai kurrë nuk mërzitet nga lutjet e robërve të Tij, sado të shumta dhe të ndryshme qofshin ato, prandaj mos ia mbyll vetes tënde portën e zgjidhjes së problemeve, por hape atë dhe me zemër të sinqertë e të nënshtruar lute Allahun, i Cili të jep vazhdimisht të mira dhe të ruan nga të këqiat. E nëse dikush pretendon se në vende të tilla ka gjetur shërim apo shpëtim nga problemet, le ta dijë se në të vërtetë kjo mirësi është vetëm prej Zotit të tij dhe nuk ka aspak lidhje apo ndikim me vizitën e këtyre vendeve. Allahu thotë në Kuran: “Edhe në qoftë se Allahu të prek me ndonjë lëndim, nuk ka kush tjetër që të mund ta heqë atë përveç Atij, dhe në qoftë se Ai dëshiron për ty ndonjë të mirë, nuk ka kush tjetër që mund ta sprapsë mirësinë e Tij, të cilën Ai e bën ta arrijë cilindo nga robërit e Tij që Ai do. Dhe Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti.” (Junus, 107) Allahu nuk ka nevojë për ndërmjetës, sepse Ai dëgjon dhe di gjithçka. Edhe një herë të këshilloj o krijesë e Allahut, që t’i braktisësh adhurimet dhe vendet e tilla. Çliroje zemrën tënde nga robëria e dashurisë dhe nënshtrimit për ta dhe lëre atë të lirë, të fluturojë në dashurinë dhe nënshtrimin vetëm për Allahun. Mos e quaj këtë çështje si të lehtë, sepse ajo është shumë e rëndë dhe as mos mendo se është e drejta jote se si dhe në ç’mënyrë duhet ta adhurosh Zotin tënd. Allahu dërgoi profetë dhe zbriti me ta libra, në mënyrë që t’u tregojnë njerëzve se si ta adhurojnë Zotin e tyre, prandaj kthehu dhe përmbaju këshillave të Zotit tënd në Kuran, librin e Tij të nderuar, thelbi i të cilit është orientimi i njerëzve drejt adhurimit vetëm për Zotin. Allahu thotë në Kuran: “Thuaj: ‘O njerëz! Tashmë e vërteta (Islami) ju ka ardhur nga Zoti juaj, kështu që kushdo që udhëzohet, udhëzohet për veten e tij dhe kushdo që humb rrugën, humbet për veten e tij dhe unë nuk jam mbikqyrësi juaj.’” (Junus, 108) Zoti ynë, udhëzoi zemrat tona për te Ti, na bëj prej robërve të bindur ndaj Teje në këtë botë dhe prej të shpëtuarve në botën tjetër! Amin!

Rrjetet Sociale

Elbasan

info@example.com

© Hoxhë Jusuf Gjevori. All Rights Reserved.