Përzierja e meshkujve dhe femrave në xhami, por edhe jashtë saj
Qëndrimi i meshkujve bashkë me femrat, përzierja e tyre me njëri-tjetrin dhe afërsia e madhe me njëri-tjetrin, është nga çështjet e ndaluara në fe, sepse bëhet shkak për fitne, ndezjen e epshit dhe si rrjedhojë veprimin e imoralitetit.
Argumenetet për ndalimin e përzierjes midis meshkujve dhe femrave, në Kuran dhe Sunet janë shumë, ndër to:
“Kur të kërkoni prej (grave të Profetit salallahu alejhi ue selem) diçka, kërkojeni prapa perdes!” (El Ahzab: 53)
Ibn Kethir për këtë ajet thotë: Ashtu siç ju ndalova që të hyni tek ato, ju ndaloj edhe nga vështrimi i tyre pa kufij. E, nëse dikush nga ju ka nevojë për diçka nga ato, atëherë le ta kërkojë pa i vështruar ato dhe vetëm pas një perdeje.
Përcillet nga Umu Seleme se ka thënë: Sapo Profeti salallahu alejhi ue selem jepte selam dhe qëndronte pak ulur, gratë largoheshin menjëherë, përpara se ai, salallahu alejhi ue selem, të ngrihej për të ikur. Ibn Hisham (nga përcjellësit e këtij hadithi) ka thënë: Mendoj dhe Allahu e di më mirë, se ai, salallahu alejhi ue selem, qëndronte ulur, me qëllim që gratë të largoheshin përpara burrave.” (Buhariu)
Të njejtin hadith e përcjell edhe Ebu Daudi në “Sunenin” e tij, në kapitullin e namazit dhe temën: “Largimi i grave përpara burrave, pas namazit”
IbnUmeri përcjell se i Dëreguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Këtë portë (në xhami) është më mirë që ta lemë për gratë.” Nafi ka thënë: Ibn Umeri derisa vdiq nuk hyri kurrë nga ajo portë.” (Ebu Daud, kitabu es-salah)
Përcillet nga Ebu Hurejra se Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Safi më i mirë për burrat është i pari, ndërsa safi më i keq për ta është i fundit. Safi më i mirë për gratë është i fundit, ndërsa safi më i keq për to është i pari.” (Muslimi).
Në tre hadithet e fundit, atë të Umu Selemes, Ibn Umerit dhe Ebu Hurejres, Profeti salallahu alejhi ue selem, u tregua i kujdesshëm për këtë çështje edhe në vendet më të dashura dhe më të pastra nga gjynahet, që janë xhamiat. Gjithashtu hadithi i fundit, i Ebu Hurejres, konsiderohet nga argumentat më të qartë dhe më të fortë për ndalimin e përzierjes së burrave me gratë.
Pra, kjo është gjendja në të cilat duhet të jenë xhamiat, por jo vetëm ato, përsa i përket kësaj çështje. Pra, nuk lejohet përzerja e femrave dhe meshkujve, të rinjve dhe të rejave që të qëndrojnë së bashku, të përzier e pranë njëri-tjetrit, të dalin fotografi së bashku, të diskutojnë së bashku qoftë edhe me pretekstin e projekteve të daves etj., ndërkohë që janë të gjitha mundësitë që shkelje të tilla fetare të shmangen. Qëllimi me daven është largimi i njerëzve nga e gabuara dhe orientimi i tyre tek e drejta, por nëse një dave nuk ka këtë rezultat, atëherë është e gabuar, e pasaktë. Tolerimi në gjynahe është i rrezikshëm, Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Ju e konsideroni atë të lehtë, por tek Allahu është e rëndë” (En Nur: 15).
Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “ Kujdes nga nënvlerësimi i gjynaheve, sepse ato kur mblidhen bashkë e shkatërrojnë njeriun. Shembulli i tyre është si shembulli i disa njerëzve që arritën në një tokë të shkretë dhe të gjithë filluan të mbledhin dru, një e nga një, derisa mblodhën një tufë të madhe, më pas ndezën zjarrin dhe vendosën në të çfarë dëshironin të gatuanin.” (Ahmedi)
Për këtë Abdullah bin Mesud ka thënë: Besimtari i sheh gjynahet e tij, si të jetë vetë poshtë malit dhe frikësohet se ato mund t'i bien nga lart, ndërsa i prishuri i sheh ato si një mizë që ndaloi në hundën e tij dhe mjafton një lëvizje e lehtë e dorës për ta përzënë atë.” (Buhariu)
Realiteti i gjendjes dhe vendit që jetojmë, ku të dyja gjinitë veprojnë dhe qëndrojnë së bashku, nuk është arsye që edhe në hapësirat dhe ambjentet tona fetare, si xhamiat, sallat e seminareve dhe aktiviteteve të tjera fetare të përzihemi dhe të qëndrojmë së bashku pa u ndarë apo me një distancim të mangët, të papërshtatshëm dhe të pamjaftueshëm, por të përpiqemi që të gjejmë ato mënyra dhe hapësiar ku pjesmarrja e të dy gjinive në të njëjtin vend është në përputhje me rregullat fetare.
Përgatiti:Hoxhë Jusuf Gjevori